Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, thotë se caktimi e datës së bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në BE, duke të kushtëzohet me përparimin e raporteve me Kosovën.
"Unë shpresoj se edhe Vjena do ta shtoj presionin në Serbi dhe do ta bëj të qartë se pa një përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën nuk ka fillim të negociatave", tha Lunacek në një artikull të botuar në të përditshmen vjeneze "Presse”.
Lunacek thotë se "kompromisi tek i cili është detyruar Beogradi tregon qartë se Këshilli i BE-së kishte të drejtë kur në dhjetor e ka shtyrë vendim për statusin e kandidatit (të Serbisë)".
“Austria, së bashku me 21 anëtaret që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të bëjnë presion më të fuqishëm në Greqi, Qipro, Sllovaki, Rumania dhe Spanjë”, theksoi ajo.
Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën thotë se "yll" dhe një fusnotë në krah të emrit "Kosova", paraqet "dritë në fund të tunelit në procesin e afrimit të Beogradit dhe Prishtinës".
"Fusnota kohët e fundit i hapi rrugën Serbisë për statusin e kandidatit dhe fillimin e mundshëm të një studimi të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, si një hap i parë drejt anëtarësimit në BE", tha ajo.
Lunacek thekson se për këtë marrëveshje opozita, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, e ka akuzuar qeverinë për tradhti.
"Në Serbi fusnota kritikohet për njohjen de facto të Kosovës. Në Kosovë autoritetet akuzohen se me të njëjtën fusnotë vihet në pyetje pavarësia. Unë yllin e cilësoj si dritë në fund të tunelit ", tha ajo.
Sipas saj, fusnota lejon "dy tone dhe dy sinjale", duke theksuar se kryesorja është se në takimet rajonale kjo i mundëson Kosovës përfaqësim të pavarur, të barabartë e pa referencën e UNMIK-ut.
Politikania austriake tek kjo sheh “një hap të shumëpritur për Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare".