LDK: Qeveria nuk vizion për arsimin dhe shkencën

Qeveria aktuale në vijimësi e ka provuar se nuk ka vizion për arsimin dhe shkencën, nuk i mbështet ato politikisht dhe as financiarisht, vlerëson Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një konferencë për media, zyrtarë të kësaj partie theksuan se kjo qeveri nuk i respekton ligjet e detyrimet që ka, nuk i respekton dokumentet themelore të fushës së arsimit dhe të shkencës dhe vepron pa politika e pa standarde.
“Qeveria bën investime të pakta dhe të gabuara, e zvogëlon buxhetin vit pas viti dhe diskriminon komunat që nuk i administron PDK-ja. Po ashtu, kjo qeveri në vijimësi ka dëmtuar interesat e autorëve të teksteve shkollore dhe të botuesve, madje ka dëmtuar edhe arsimtarët, të cilëve vijon t’u ketë borxh rrogat me rritje nga janari dhe shkurti i viti të kaluar”, vlerësojnë zyrtarë të kësaj partie.
Sipas tyre, këto dhe shkaqe të tjera kanë bërë që arsimi në Republikën e Kosovës edhe më tej të mos ketë cilësi të duhur, të mos jetë konkurrent as me vendet e rajonit.
Ata theksuan se vizioni, synimi dhe politikat e LDK-së janë që Republika e Kosovës të zhvillohet drejt një shoqërie të dijes, e integruar në rrjedhat evropiane të arsimit dhe të shkencës.
“Një shoqëri e tillë ndërtohet përmes mundësive të barabarta për arsimim dhe zhvillim individual për të gjithë qytetarët. Duke pasur për bazë këtë vizion e program, LDK-ja arsimin dhe shkencën do t'i bëjë prioritet nacional dhe do të punojë për integrimin e arsimit të Republikës së Kosovës në Hapësirën Evropiane të Arsimit”, thonë ndër të tjera zyrtarët e LDK-së.