Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë, të arritur në Bruksel më 24 shkurt 2012.
Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur të enjten në kuadër të konferencës regjionale “Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi” e cila po mbahet në Beograd.
Qeveria e Kosovës thekson se Serbia si organizatore e kësaj konference ka dështuar të zbatojë pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Si pasojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Bashkimi Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura”, thuhet në reagim.
Ndryshe, delegacioni i Kosovës ka braktisur takimin rajonal në Beograd në të cilin për herë të parë në Serbi është paraqitur me emërtimin krahas fusnotës.
B92 njoftoi se delegacioni i Kosovës e ka braktisur mbledhjen pas për shkak të “moskuptimit të detajeve të marrëveshjes së Brukselit".
Mediet serbe njoftojnë se delegacioni serb po të enjten është larguar nga një takim i ngjashëm në Podgoricë.