Bajrami: Presidenti me dy shtetësi

Qytetarët të cilët kanë dy shtetësi nuk do të kenë pengesë të kandidojnë për president të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, pasi çështja e dyshtetësisë tash e tutje nuk do të jetë kategori kushtetuese.

Kështu ka vendosur Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës. Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re” kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, i cili ka konfirmuar se çështja e dyshtetësisë nuk do të jetë fare e përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Pas shumë debateve, duke filluar nga debati brenda komisionit, pastaj debatit me qytetarë, si dhe debatit me liderët e partive politike, gjithashtu duke pasur parasysh edhe praktikat ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, kemi vendosur që dyshtetësia të mos jetë pengesë. Pra, kjo çështje nuk është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk paraqet pengesë”, ka deklaruar Bajrami.
Ai ka treguar se çështja e dyshtetësisë është zgjidhur falë konsensusit të subjekteve politike.
“Tashmë çështja e dyshtetësisë konsiderohet e tejkaluar plotësisht. Pra, komisioni e ka zgjidhur çështjen e dyshtetësisë falë konsensusit të partive politike dhe eksperiencave ndërkombëtare. Është arritur një konsensus, por kemi marrë parasysh edhe eksperienca ndërkombëtare të niveleve shumë të larta. Po ashtu, kemi marrë parasysh edhe praktikën dhe opinionin e Komisionit të Venecias, nga i cili kemi kërkuar përgjigje lidhur me dyshtetësinë. Prandaj, si përfundim, çështja e dyshtetësisë është tejkaluar tashmë falë arritjes së konsensusit nga grupet e të gjitha subjekteve politike në vend”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se dyshtetësia nuk do të paraqesë asnjë problem në procesin e kandidimit për president të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi kërkuar që kandidatët për president të jenë shtetas të Republikës së Kosovës. Megjithatë, dyshtetësia nuk paraqet problem për asnjë kandidat që dëshiron të kandidojë në zgjedhjet presidenciale për president të shtetit të Kosovës. Kjo çështje tani është krejtësisht e tejkaluar në mënyrë konsensuale. Pra, dyshtetësia nuk do të paraqesë ndonjë pengesë në procesin e kandidimit për president të Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.