Kuçi: Zgjedhjet serbe nuk i ndalojmë me polici e ushtri!

Nëse zgjedhjet serbe mbahen edhe në territorin e Kosovës, atëherë ato nuk do të kenë asnjë efekt as juridik e as kushtetues, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”.

Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e saja politike, kushtetuese, ligjore, si dhe ndikimin diplomatik, në mënyrë që këto zgjedhje të parandalohen, por sipas tij, nuk duhet të krijohen iluzione që të dërgohet policia apo ushtri në atë pjesë të vendit.
Sa u përket zërave për zgjidhje politike për veriun, Kuçi garanton se ajo pjesë nuk do të jetë asnjëherë në tavolinën e bisedimeve. “Sepse kur të hapet kjo çështje me Serbinë duhet të flasim edhe për Preshevën dhe për krejt rajonin”, - ka thënë Kuçi, duke shtuar se zgjidhja e problemit të veriut është brenda Pakos së Ahtisaarit dhe çdo dalje jashtë kësaj Pakoje, rrezikon përshkallëzim të krizave të reja.