Fajësojnë Thaçin për fusnotën

Shefja Siguri për Politikë të Jashtme e BE-së, baronesha Catherin Ashton, sot në Bruksel e ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vendimin e tij që të pranojë përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale me fosnotë, kurse ky i fundit ka qenë në shënjestër të kritikave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës pikërisht për pranimin e fusnotës

Në seancën e Kuvendit të mbajtur sot deputetët nuk kanë mundur t’i ikin debatit rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale me fusnotë, ku nuk kanë munguar akuzuat ndaj kryeministrit Thaçi, se po e dëmton shtetësinë e Kosovës.
I pari që ka filluar debatin ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, i cili duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se ky debat është i rëndësishëm që të vendoset në sfond institucional.
“Shqetësimi ka qenë real, sepse po ballafaqohemi me problemin se jo gjithherë politika ndërkombëtare koincidon me atë të vendit. Pavarësia e Kosovës është proces i koordinuar dhe nuk mund ta mohojë askush. Çështja e emrit të Kosovës, emri është Republika e Kosovës. Fatkeqësisht, BE-ja vazhdon të udhëheqë politika të padrejta karshi Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Për më tepër, Bajrami ka shtuar se Kosova ka qenë midis dy zgjidhjeve, status quos, që do të thotë përjashtimin e një rezolute të vdekur, por që Këshilli i Sigurimit ende e mban funksionale dhe çështja e dytë ka qenë pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonale duke folur vet, raporton “Kosovapress”.
Deputetja Alma Lama, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se kompromiset e fundit janë bërë në kurriz të pavarësisë dhe janë alarmante.
Lama ka thënë se kryeministri e ngjalli rezolutën 1244, dhe qeveria nënshkroi marrëveshje, që sipas saj janë në kundërshtim me vetveten dhe marrëveshje që e krijojnë përjashtimin e pavarësisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se një nga pikat e marrëveshjes është se Kosova duhet të përmbahet nga përdorimi i flamurit në takimet rajonale. Ai i ka propozuar Kuvendit që të nxjerr një ligj ku obligohen zyrtarët kosovarë që të vishen me simbole të shtetit.
“Unë i kisha propozu Kuvendit që të nxjerr një ligj që gjithë ata që e përfaqësojnë Kosovën diplomatikisht të veshën me simbole shtetërore. Edita shembull mundet me qit flamurin në syza, dikush në çorape”.
Gjini ka vazhduar edhe me tej me kritika, duke thënë se qeveria aktuale është shpenzuar politikisht.
“Kjo qeveria ia ka qitë faqen e zezë Kosovës. Kjo qeveri ka bërë që Serbia të duket me mirë se Kosova”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, ka qenë mjaft kritik në këtë çështje, duke thënë se emri e thotë esencën, nofka e thotë mungesën, që sipas tij në këto raste nofka nuk e bën esencën.
“Kryeministri botërisht e ka marrë këtë autorësi. Kjo polli edhe një diskurs publik institucional e qytetar se kush është me Amerikën e Evropën. Kjo është parullë e vjetër, martesë për letra s’ka në politikë, por ka marrëdhënie në kuptimin e vërtet, marrje dhe dhënie. Ky diskurs nuk mund të kthehet në diskurs të likuidimit”, tha Hamiti.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç kanë bërë edhe në seancat e kaluara, edhe këtë herë kanë parashtruar pyetjet për kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi rreth takimeve të tij me presidentin serb, Boris Tadiq. Por, as këtë herë nuk kanë mundur të marrin përgjigje, pasi kryeministri gjendet për vizitë zyrtare në Bruksel.