Ashton: Kosova do të flas në emër të vet

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.

Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Ashton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.
“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t’i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.
“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s’kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Ashton.