Astrit Haraqia e Melihate Tërmokolli sa kanë qenë në LDK vazhdimisht janë përplasur me deklarata me njërin prej udhëheqësve të partisë. Deklaratat dhe akuzat po vazhdojnë edhe tash mes Haraqisë, i cili është zëvendësministër i Qeverisë Thaçi II, dhe Kryeziut, i cili është anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Në debatin e fundit se kush është antiamerikan e antieuropian, Kryeziu ka thënë se ata që po e kritikojë LDK-në janë pa vizion, njerëz që kërkojnë ushqim nga të vdekurit e famshëm dhe se janë satelitë të bukur që po fshihen pas fuqive të mëdha.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-kolegu i Kryeziut nga Lista “Dr. Ibrahim Rugova”.
Astrit Haraqia ka thënë se “Eqa e ka kuptuar vonë filozofinë e Rugovës”.
“Do ta mbrojë filozofinë Rugoviane deri në fund dhe jam rugovist i përbetuar. Nuk më mban filozofia e Eqrem Kryeziut, por ka me m`mbajt filozofia e Ibrahim Rugovës”, ka thënë Haraqia në një bisedë për “Express”.
Ai e ka përdorë fjalën satelit kur e ka përshkruar Eqrem Kryeziun në LDK, ndërsa e ka këshilluar Liderin e LDK-së, Isa Mustafa, që të ketë kujdes nga njerëzit e tillë.
Astrit Haraqia bashkë me Dardan Gashin dhe Bujar Bukoshin, përmes listës “Dr. Ibrahim Rugova” dhe koalicionit me PDK-në, mbajnë poste të larta në Qeverinë e Kosovës. Megjithëkëtë, Zëvendësministri i Ekonomisë e mohon se janë bërë satelitë të Hashim Thaçit, të cilin e kanë shef në Qeveri.
“Absolutisht nuk kisha thanë se ne jemi satelitë të Hashim Thaçit... Prej asaj kohe që jemi në koalicion me Hashim Thaçin, me kërkesë të Listës Rugova u emërua autostrada Ibrahim Rugova. Me kërkesë të Listës Rugova është futur në buxhet memoriali i Presidentit Rugova që do të ndërtohet sivjet. Me kërkesë të Listës Rugova do të ndërtohet kompleksi në Koshare...”, ka thënë ai.
Duke komentuar konventën e LDK-së, e cila mbahet sot, Haraqia ka thënë se nuk pret të ndodh asgjë dhe përsëri merret me Eqën.
“As në këtë mbledhje të LDK-së nuk pritet të ndodh asgjë. Llogarit në servilat sikur Eqremi, që ka boll aty. Fatkeqësia e LDK-së është se disa udhëheqës nëpër komuna disa herë i humbin zgjedhjet dhe prapë janë në kryesi të partisë”, ka thënë ai.