Cooper kërkon respektimin e marrëveshjes

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Robert Cooper, u ka bërë thirrje organizatorëve të takimeve të ardhshme rajonale që të respektojnë dispozitat e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës, të cilën në Bruksel e arritën përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës.

"Do t'ju isha mirënjohës sikur t'i kushtoni vëmendje konkluzioneve dhe të siguroni që ato të respektohen çdo herë kur kryesoni ose jeni mikpritës i takimit të ndonjë forumi rajonal, që përfshihet në konkluzione", ka theksuar Cooper në një letër, bashkë me të cilën ua ka përcjellë edhe tekstin e marrëveshjes, transmeton Koha.net.
Delegacioni i Beogradit dhe Prishtinës më 24 shkurt kanë arritur në Bruksel marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare.