KEK-u i pakënaqur me shtrenjtimin e rrymës për 7.6 %

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në propozimin preliminar ka thënë se tarifat e energjisë elektrike duhet të shtrenjtohen për 7.6 për qind. Ky shtrenjtim sipas ZRRE-së do të bënte të mundur operimin normal të KEK-ut dhe KOSTT-it. Rregullatori për herë të parë pas tre vjetëve ka lejuar një shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike.

Mirëpo, ky propozim është preliminar. Palët e interesit kanë të drejtë që deri sot, t’i dorëzojnë komentet e tyre për ndryshim të këtij propozimi.
Tanimë është konfirmuar se KEK-u nuk do të pajtohet më këtë propozim dhe do të vazhdojë të këmbëngulë se tarifat duhet të shtrenjtohen për 23 për qind, apo të ketë një shtrenjtim më të vogël, por të rritet subvencionimi nga ana e Qeverisë.
E OJQ-të këmbëngulin se KEK-u rritjen e të hyrave duhet ta kërkojë nga rritja e efikasitetit e jo nga qytetarët.
Drejtori menaxhues i KEK-ut Arben Gjukaj, ka thënë se nuk janë të kënaqur me vlerësimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike që do të aplikohen nga 1 prilli i këtij viti. Sipas tij rritja prej 7.6 për qind nuk i mbulon të gjitha investimet kapitale dhe operimin e KEK-u si një ndërmarrje e tregut.
Ai ka thënë se KEK-u ka propozuar tri variante të ngritjes së tarifave të energjisë elektrike. E para ka qenë një ngritje prej 23 për qind. Po ashtu KEK-u ka propozuar që tarifat të rriten vetëm për 12 për qind apo edhe 9 për qind, mirëpo me kusht që Qeveria e Kosovës jep një subvencion shtesë prej 7 milionë euro vetëm për konsumatorët e amvisërisë.