Përplasen për shaminë

Për vajzat e mbuluara, nën moshën 15-vjeçare, pragu i shkollave publike në Kosovë është i pakapërcyeshëm. Në këtë pikë përplasjet mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës janë të vazhdueshme. Sabri Bajgora, kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës, shpreh keqardhjen për vazhdimin e këtyre shqetësimeve, sepse ka një numër vajzash që preferojnë të shkojnë në shkollë me mbulesë.

"Ne jemi thellësisht të bindur se një shoqëri demokratike siç mëton të jetë Kosova, do ta tejkalojë këtë situatë me urtësi dhe maturi duke iu garantuar të gjithë nxënësve të Kosovës që të mësojnë pa prejudikuar për veshjen e tyre të jashtme, e cila në shumë raste po konsiderohet si një çështje e ndaluar”, thotë Bajgora.
Ndërsa Ragip Gjoshi, këshilltar politik në Ministrinë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji kujton se deri në moshën 18 vjeçare nxënësit nuk janë në gjendje të vendosin për veten. Sipas tij stili i veshjes në këtë rast konsiderohet i imponuar qoftë nga prindërit apo teologët.
"Por, ne kemi menduar edhe për këtë kategori nxënësish, të cilët pas moshës 15-vjeçare, në bazë të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar kanë mundësi që të ndjekin arsimin joformal. Kjo është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin mbi Arsimi Parauniversitar si dhe në Udhëzimin Administrativ 7/2009, i cili rregullon kodin e veshjes dhe të dukjes së nxënësve”, tha Gjoshi për Deutsche Welle.
Nga ana e tij kryeimami Bajgora në vend të sanksionimit të vajzave të mbuluara sugjeron masa për ruajtjen e kodit, kur kemi zhveshje të tepruar të vajzave nëpër shkolla.
Në nenin 8-të të Kushtetutës së Kosovës thuhet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Në paragrafin 4 të nenit 38 të Kushtetutës thuhet po ashtu se, “Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”.
Për të kërkuar të drejtën e tyre disa vajza iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Rasti më i fundit ishte ai i Arjeta Halimit, nxënëse nga komuna e Vitisë, beteja dyvjeçare e së cilës përfundoi pa sukses. Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë kërkesën e saj për të vazhduar mësimin me shami koke në një shkollë publike.
Sekretaria e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me anë të një shkrese shpjegon se pas rastit të lartpërmendur “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë të re rreth së drejtës për shkollim të vajzave të mitura që mbajnë shami”.
Përjashtimet nga shkollat publike të vajzave me shami u përcollën me protesta të nxënësve, të cilët u solidarizuan me moshataret e tyre. Po ashtu organizatave të ndryshme jo fitimprurëse në protestë iu bashkangjitën edhe qytetarë të shumtë. Për Bashkësinë Islame, kjo është shkelje drastike e të drejtave të njeriut.