Jahjaga: Kosova ka arritur përparim të madh

Presidentja Atifete Jahjaga ka deklaruar të premten se Kosova ka arritur një përparim të madh në fusha të ndryshme dhe është shndërruar në faktor stabiliteti dhe të fqinjësisë së mirë në rajon, dhe se synon zbatimin e reformave të thella, që do t’i mundësojnë vendit integrimin në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Republikës i ka bërë këto komente në takim me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer. Ajo theksoi se Austria i ka dhënë mbështetje Kosovës dhe në veçanti në konsolidimin e shtetësisë së saj. Sipas saj, kontributi i Austrisë në Kosovë në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe të diplomacisë është shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se përfundimi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është e arritur e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo theksoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, me integritet territorial dhe subjektivitet të njohur ndërkombëtar dhe nënvizoi se zgjidhja për tri komunat në veri të vendit është zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit, që garanton dhe ofron një gamë të gjerë të të drejtave për komunitetin serb.
Presidentja po ashtu theksoi se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet në fuqi garantohet dhe sigurohet mbrojtja dhe ruajtja e monumenteve kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Nga ana e tij Neugebauer tha se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe ajo është bërë shembull për rajonin. Ai vlerësoi se reformat e filluara në shumë fusha tregojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve për integrim në familjen evropiane.