Zbogar: Kryeni punët

Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar, nuk u pajtua me kritikat që Kryeministri Thaçi ia adresoi Brukselit. Diplomati slloven porositi autoritetet kosovare që t’i kryejnë detyrat e shtëpisë rreth proceseve integruese. Ai tha se BE mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës.

Kritikat e fundit të Kryeministrit Thaçi, drejtuar Bashkimit Evropian, duket së kanë hasur në vesh të shurdhër për shumicën e shteteve anëtare të BE-së, por jo edhe për njeriun që përfaqëson Unionin në Kosovë.
Pas deklaratave të fundit të kreut të Qeverisë se Bashkimi Evropian po vonon proceset integruese të Kosovës, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar i ka dalë në mbrojtje BE-së, duke siguruar kosovarët se përkushtimi për të ardhmen evropianë të vendit mbetet i palëkundur dhe se kjo po ndodh edhe në praktikë.
“Kosova ka perspektivë evropianë dhe ajo po ndodh praktikisht”, ka thënë përfaqësuesi i BE-së në një prononcim për media, raporton “Express”.
Sipas Zbogar, ndryshe nga sa mund të perceptohet në Kosovë, BE nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket perspektivës evropiane, por se ky është një proces, ku një pjesë të madhe të punës e kanë vetë institucionet dhe shoqëria kosovare.
Të enjten Zbogar, derisa po merrte pjesë në hapjen e një fabrike të mjaltit në Deçan, tentoi të japë përgjigje për të gjitha shqetësimet e fundit të kosovarëve, duke përfshirë atë se BE me qëllim është duke vonuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diplomati slloven tha se të gjitha premtimet që i janë dhënë Kosovës do të mbahen. Sipas tij, në pranverë Kosovës pritet t’i jepet udhërrëfyesi për vizat, megjithëse mbesin edhe disa diskutime të fundit mes shteteve anëtare gjatë muajit maj.
“Komisionerët evropianë gjatë vizitave në janar dhe mars e kanë thënë se Kosova do të marrë udhërrëfyesin për vizat gjatë pranverës dhe kjo shpresoj dhe pres të ndodhë. Megjithatë, diskutimet po vazhdojnë dhe mbeten disa diskutime të fundit gjatë këtij muaji”, ka thënë ai.
Zbogar e ka vlerësuar angazhimin dhe kurajën e institucioneve kosovare për të lëvizur përpara në agjendën evropiane, por ka thënë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë.
Sipas tij, sa më shumë që Kosova futet në proceset e integrimit, aq më vështirë bëhet dhe aq më shumë kërkohet nga Kosova. Por, ka thënë ai, kjo është për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Por, sipas përfaqësuesit evropian, Kosova nuk ka nevojë që të pres udhërrëfyesin dhe mund t’i kryej detyrat që i takojnë qysh tani.
Ai vlerëson se udhërrëfyesi nuk është fundi, por vetëm fillimi i procesit dhe se pas kësaj do të jetë në dorë të Qeverisë dhe vetë Kosovës si shoqëri që t’i bëjë gjërat që i takojnë, si për gjithë vendet tjera që kanë kaluar nëpër këtë proces.
Ditë më parë, kritika ndaj BE-së kishte drejtuar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, e cila kishte akuzuar disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian se po bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Lunacek kishte deklaruar se Franca, Belgjika, Holanda dhe Suedia janë shtete të cilat nuk po tregojnë vullnet për të lëvizur përpara me udhërrëfyesin për vizat. Por, Shefi i BE-së në Prishtinë nuk është pajtuar me këto deklarata.
Zbogar ka thënë se Lunacek flet si parlamentare e Parlamentit Evropian, dhe kjo nuk reflekton qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës.