Megjithëse njoftimet e mediave në Kosovë raportonin se senatori zviceran, Dick Marty ka ardhur në Kosovë dhe do të dëshmojë në rastin ''''Medicus''', merret vesh se ai nuk mbërri.
Në seancën e sotme gjyqësore për këtë rast, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, u bë e ditur se i është bërë kërkesë Këshillit të Evropës që t’i heq Dick Martyt imunitetin në mënyrë që të vijë të dëshmojë në këtë rast. Kryetari i Trupit gjykues, Sedek, tha se pritet që Marty të dëshmojë në seancën e 17 qershorit, njofton Koha.
Senatorit zviceran, që vitin e kaluar bëri bujë me një raport që akuzonte udhëheqës të UÇK-së se kanë transplantuar ilegalisht organe të robërve të luftës së vitit 1998-1999, i është bërë ftesë që të vijë si dëshmitar për datën 18 qershor.
Dick Marty kishte zemëruar tej mase ish udhëheqës të luftës së Kosovës pasi raporti i tij përpos bujës ndërkombëtare, ka nxitur miratimin edhe të një rezolute të Këshillit të Evropës që tani ka nisur hetime zyrtare për akuzat e tij.
Prokurori amerikan, John Clint Williamson, është caktuar në krye të një task force të veçantë për të kryer hetimet në kuadër të mandatit të EULEX it.