Rrjeti i grave të Kosovës, në njëvjetorin e vrasjes së Diana Kastratit shprehën shqetësimin e tyre se drejtësia po vonohet.
Sipas Rrjetit të grave, një vit pas drejtësia ende po vonohet dhe rasti i Diana Kastratit nuk po zbardhet, duke kërkuar kështu nga institucionet e Kosovës që të veprojnë urgjentisht në zbardhjen e këtij krimi.
“Sot, më 18 Maj 2012, është një vjetori i vrasjes së Diana Kastratit e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj pak metra larg shtëpisë, si pasojë e dhunës në familje. Kjo vrasje i ka shqetësuar jashtë mase qytetarët e Kosovës dhe neve si Rrjeti i Grave të Kosovës, andaj ne po vazhdojmë të kërkojmë trajtim ekspeditiv të këtij krimi”, thuhet në reagim.
Diana Kastrati, nga frika për jetën e saj dhe të fëmijës, e kërcënuar nga ish-bashkëshorti, kishte kërkuar urdhëresë për mbrojtje nga gjykata komunale e Prishtinës.
“Urdhëresa për mbrojtje emergjente është dashur të lëshohet nga gjykata komunale e Prishtinës brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes por një gjë e tillë nuk është bërë dhe si pasojë Diana është vrarë. Poashtu prindërit e Dianës kanë dorëzuar një mocion në Gjykatën Kushtetuese, mocion kundër sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për të kërkuar që të konstatohet shkelja e të drejtave individuale të Dianës”, thuhet në reagimin e Rrjetit të grave të Kosovës.