Senatori zviceran, që vitin e kaluar bëri bujë me një raport që akuzonte udhëheqës të UÇK-së se kanë transplantuar ilegalisht organe të robërve të luftës së vitit 1998-1999, ka arritur në Kosovë. Kështu të paktën i kanë thënë “Zërit” burime vendore në orët e mbrëmjes të së enjtes.
Sipas këtyre burimeve, Marty megjithatë ka ardhur në cilësinë e dëshmitarit për një rast tjetër, atë “Medikus”, ku dyshohet se janë kryer transplantime pas luftës në Kosovë.
Në fakt, ftesa për Martyn që të vijë si dëshmitar ishte bërë për datën 18 qershor, sidoqoftë, ardhja e tij e mundshme, saktësisht një muaj më herët, mund të jetë bërë për shkaqe sigurie.
Dick Marty kishte zemëruar tejmase ish-udhëheqës të luftës së Kosovës pasi raporti i tij përpos bujës ndërkombëtare, ka nxitur miratimin edhe të një rezolute të Këshillit të Evropës që tani ka nisur hetime zyrtare për akuzat e tij.
Prokurori amerikan, John Clint Williamson, është caktuar në krye të një task force të veçantë për të kryer hetimet në kuadër të mandatit të EULEX-it.
Ardhja e mundshme e senatorit zvicran në Prishtinë përkon me kohën kur parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj që i krijon hapësirë ligjore EULEX-it për të kryer hetime edhe në territorin shqiptar, ku Marty pretendon se janë kryer transplantimet ilegale të organeve.
Ndërkaq, sot, më 18 maj, ndonëse nuk ishte pjesë e agjendës që të dëshmonte Marty, është planifikuar që të mbahet seancë për rastin Medicus.
Burime ndërkombëtare në Bruksel janë shprehur të habitur me pyetjen e “Zërit”, ndërsa zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, përmes telefonit ka thënë se ky mision nuk ka kurrfarë informate për arritjen e Martyt.
“Ne i kemi dërguar ftesën z. Marty përmes kanaleve diplomatike të EULEX-it që të vijë si dëshmitar më 18 qershor në Kosovë, mirëpo deri tash nuk kemi kurrfarë përgjigje prej tij”, ka thënë Azari.