Ekskursioni i Vlorës

Ka dhjetë ditë që ministrja që drejton dikasterin, i cili çdo veprim e ka të ndërlidhur me Bashkimin Evropian, është duke “shëtitur” në Amerikë. Ky “ekskursion” i saj shihet si papërgjegjësi nga opozita dhe analistët në Prishtinë.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, duket se më së shumti i është gëzuar udhëtimit të kryeministrit Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan “Zëri”.
Ka dhjetë ditë që ministrja që drejton dikasterin, i cili çdo veprim e ka të ndërlidhur me Bashkimin Evropian, e shoqëruar nga këshilltarët e saj është duke “shëtitur” në Amerikë, ndërsa, të gjitha takimet me zyrtarë të lartë amerikanë në emër të Kosovës i bën shefi i saj, Hashim Thaçi.
Përveç ministres Çitaku me këshilltarë, në Washington ka qëndruar edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili rëndom e shoqëron kryeministrin në udhëtime të tilla.
Por, anëtarët e partive opozitare dhe njohësit e integrimeve evropiane thonë se e kuptueshme do të ishte sikur Thaçi të ishte në vizitë në Bruksel dhe me të ishte Çitaku, ndërsa ironizojnë me vizitën në SHBA, duke e cilësuar këtë si rrugëtim të ministres së Integrimeve për të përfituar pak pushim nga përditshmëria në Prishtinë.
“Kjo është një papërgjegjshmëri për mënyrën se si shpenzohet buxheti i Kosovës, sepse ministrja nuk ka kurrfarë pune atje, përveç se ka shkuar që të shëtisë dhe të marrë pjesë në ato takime për kuriozitet, nuk di ndonjë arsye tjetër”, thotë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama.
Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane thekson se ministrja Çitaku tërë punën e saj e ka të përqendruar me Brukselin, prandaj, siç thotë ajo, ky udhëtim nuk mund të arsyetohet.
Pak a shumë ngjashëm mendon edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila thotë se nëse në agjendën e ministres nuk ka pasur takime ku përfshihet puna e saj për integrime, atëherë udhëtimi në SHBA ka qenë për të bërë “qejf”.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se shqetësuese për Kosovën duhet të jetë fakti se rreth një javë pas përfundimit me zyrtarët e lartë amerikanë, delegacioni i Kosovës vazhdon të qëndrojë në SHBA, pavarësisht nga situata e krijuar në vend.
Mirëpo, zëvendësministri i Integrimeve, Gëzim Kasapolli thotë se gjatë qëndrimit në SHBA, ministrja Çitaku ka realizuar agjendën të cilën e ka pasur kryeministri, e cila sipas tij, ka të bëjë me fuqizimin e Kosovës karshi procesit të integrimeve evropiane.
Ai mohon se ministrja ka udhëtuar për të bërë “qejf”, meqenëse sipas tij, pa mbështetjen e SHBA-ve për integrime evropiane do të jetë i pamundur realizimi i këtij synimi.