Shkurtohen procedurat për regjistrim të bizneseve

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe ata të Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim krijimin e lehtësirave sa më të mëdha për bërje biznes në Kosovë. Ky memorandum precizon procedurat dhe punët që duhet të kryhen nga të dyja agjencionet në këtë fazë të lehtësirave për bërje biznes në Kosovë.

Krerët e të dyja agjencioneve i kanë vlerësuar lartë reformat që po bëhen në këtë drejtim, pasi që, po bëhet shkurtimi i procedurave për regjistrim, marrje të lejes, pajisja me certifikata të nevojshme.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, nënshkrimin e memorandumin të sotëm e ka cilësuar si shumë të mirë dhe të nevojshëm, i cili do të shkurtojë kohën, do të ketë kosto më të ulët e shumë lehtësira të tjera. “Me këtë hap, prej javës së ardhshme Administrata Tatimore, Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve dhe Doganat do t’i trajtojnë më shpejtë, më lehtë, edhe me një shkurtim të kohës, edhe kosto më të ulët të gjithë pronarët e bizneseve që regjistrojnë dhe planifikojnë të zhvillojnë aktivitet biznesi, përmes procesit të sinkronizimit dhe harmonizimit të procedurave, lehtësimit në një aplikacion të vetëm”, ka thënë ai.
Haliti ka shtuar se procedurat e deritashme për regjistrim të një biznesi kanë qenë shumë të stërzgjatura dhe të mundimshme.
Ndërsa Gazmend Mejzini, kryeshef Ekzekutiv i Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nënshkrimin e këtij memorandumi e ka cilësuar si rrumbullakim i reformave. “Është e një rëndësie të veçantë se kjo u mundëson bizneseve që, përpos regjistrimit të biznesit, mund ta marrin edhe certifikatën, numrin fiskal dhe certifikatën e TVSh-së në një vend me një procedurë të vetme”, tha Mejzini.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës është kritikuar shumë edhe nga raportet ndërkombëtare për shkak të klimës jo të mirë të të bërit biznes, gjë e cila edhe ka bërë që shumë investitorë të mos investojnë në Kosovë, por të ndalen në vendet e rajonit. Duke i marrë për bazë këto kritika, Qeveria e Kosovës ka marrë masa për ndryshimin e procedurave për të bërë biznes, duke bërë reforma të thella, të cilat rezultojnë me shkurtimin e shumë procedurave burokratike.