KQZ e përgatitur për zgjedhjet në Ferizaj

Për ta evituar përsëritjen e manipulimeve që janë bërë në zgjedhjet e kaluara në vend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar disa veprime nëpërmjet të cilave synon t’i mënjanojë parregullsitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt, të cilat do të mbahen më 29 prill.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një bisedë për gazetën “Epoka e Re”, ka paralajmëruar se KQZ-ja s’do të lejojë parregullsi gjatë këtij procesi zgjedhor.
Ajo ka bërë me dije se në kuadër të parandalimit të manipulimeve do të ketë kujdes të veçantë për llambat verifikuese si dhe mosemërimin e komisionarëve, të cilët kanë qenë pjesë e manipulimeve në zgjedhjet e kaluara.
“Ne tashmë i kemi emrat e atyre komisionarëve prej gjykatës komunale në Ferizaj dhe do të kemi kujdes që ata persona që janë të përfshirë të mos jenë në këtë proces zgjedhor. Pra, KQZ-ja nuk do t’i emërojë komisionarët që kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprës penale për manipulim të zgjedhjeve”, ka deklaruar Daka.
Në këtë kontekst, Daka ka thënë se përgjegjësinë e bartin të gjitha subjektet politike që i kanë komisionarët e tyre në vendvotime, e jo KQZ-ja e cila është përgjegjëse për anën teknike.