Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar qytetarët e besimit ortodoksë, të cilët në Kosovë shumicën e përbëjnë serbët, për Festën e Pashkëve.
“Festa e Pashkëve simbolizon idenë e Ringjalljes së vlerave shpirtërore dhe filozofike, besimin në të mirën e jetës, kulturës dhe idealeve të përbashkëta të njerëzimit” thuhet në urimin e kryeministrit.
“Të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin e vendit tonë dhe po punojmë bashkërisht për ta bërë Kosovën shtet me të cilin të gjithë do të krenohemi, vend të sigurt dhe me perspektivë për fëmijët tanë”.
"Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të kremtojnë festat e tyre në paqe e tolerancë, në solidaritet dhe mirëkuptim. Duke besuar se në familjet tuaja do të mbretërojë lumturia, mirëqenia dhe paqja, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh urimet më të sinqerta për Festën e Ditëve të Pashkëve”, thuhet në telegram.