Të premten do të merret vendimi lidhur me (mos) pranueshmërinë e deklaratave të Nazim Bllacës dhënë më herët para prokurorit Mauricio Salustro. I vetëquajturi pjesëtar i SHIK-ut, në dëshminë e tij, inkriminon të pandehurit se kanë marrë pjesë në vrasjen e Ibush Kllokoqit, si dhe tentimvrasjen e Adem Salihajt dhe Ismet Arifit.
Forca të mëdha dhe të armatosura të Policisë së EULEX-it kanë qëndruar për orë të tëra në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, n njofton “Express”.
Disa nga ta kanë qëndruar për disa minuta edhe në sallën ku po mbahej gjykimi ndaj gjashtë personave në rastin e quajtur “Bllaca II”. Gjithë kjo siguri u bë për Nazim Bllacën, i cili të enjten duhej të dëshmonte kundër grupit që ka deklaruar se dikur i kishte shokë dhe vepronte së bashku me ta.
Me jelek anti-plumb, Nazim Bllaca u soll në gjykatore nga gjashtë policë të armatosur deri në dhëmbë, të cilët në objekt rrinin në këmbë dhe të drejtuar nga publiku.
Kjo prani e policisë u kritikua nga avokatët e të akuzuarve.
“Çka është kjo dhomë e gestapove apo çka? Kjo nuk ndodh askund në botë. Nëse vazhdon kështu gjykimi, unë largohem nga salla”, paralajmëroi avokati Haxhi Millaku. Pas këtyre vërejtjeve, oficeri që komandonte grupin e policëve në konsultim me gjyqtarin urdhëroi policët që të rrinin aty, por ulur e jo në këmbë.
Mirëpo, Bllaca nuk mundi të japë dëshminë e tij nga pyetjet që nisi t’ia bëjë prokurori Mauricio Salustro, sepse kryetari i trupit gjykues urdhëroi të merret parasysh kërkesa e avokatit Tahir Rrecaj për papranueshmërinë e deklaratave të Nazim Bllacës.
Në fakt avokati Rrecaj një kërkesë të tillë e kishte paraqitur para se të fillonte marrja në pyetje e Bllacës, mirëpo që ishte kundërshtuar nga gjyqtari Torre Tomassen.
Por, kur prokurori filloi ta marrë në pyetje Bllacën dhe duke iu referuar deklaratave që ai i kishte dhënë para tij, gjyqtari u kujtua që ta kthente në diskutim kërkesën e Rrecajt. Këtë propozim e hodhi edhe prokurori Mauricio Salustro, i cili kërkoi që mbrojtja t’i paraqesë argumentet e veta pse nuk duhet të pranohen deklaratat e Bllacës.
Në emër të avokatëve mbrojtës, Tahir Rrecaj paraqiti disa nga argumentet e tij në mënyrë që ta bind gjykatën që deklaratat e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca të hidhen poshtë.
Sipas Rrecajt, prokurori është dashur ta intervistojë edhe njëherë Nazim Bllacën pasi është shpallur dëshmitar bashkëpunues.
“Dëshmitari bashkëpunues duhet të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në bazë të ligjeve në fuqi të Kosovës”, tha Rrecaj.
Në anën tjetër, prokurori italian Mauricio Salustro kundërshtoi kërkesën e palës mbrojtëse duke iu thënë se nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë deklaratat e Nazim Bllacës.
Po ashtu ai tha se deklaratat e Bllacës janë në interes edhe të të akuzuarve. “Për dallim nga rasti ‘Kleçka’, ku deklaratat e dëshmitarit bashkëpunues u hodhën poshtë nga gjykata, sepse vetë dëshmitari nuk jetonte më, Bllaca është këtu dhe është gjallë, pavarësisht se dikush ka plane tjera për të”, tha Salustro.
Sipas tij, shpallja dëshmitar bashkëpunues është bërë sepse urdhri nuk mund të kundërshtohet.
“Nëse është lejuar ankesa, a e keni bërë këtë deri më tani? Jo. Çka po doni tash?”, u tha Salustro avokatëve mbrojtës.
Prokurori italian pati edhe vërejtje rreth raportit mjekësor në lidhje me të akuzuarin Fahredin Gashi.
Raportin e lëshuar nga mjekët, Salustro e ka quajtur skandaloz dhe ata që e kanë shkruar atë “të ashtuquajtur ekspertë”.
“Ata janë të ashtuquajtur ekspertë dhe unë nuk po i kuptoj. Ata thonë se ai është i aftë të qëndrojë në sallë, por çështja është se a e di i akuzuari pse është këtu dhe a e kupton çka po thuhet dhe çka po ndodh rreth tij”, tha Salustro.
Me këtë konstatim të prokurorit është pajtuar dhe avokati i Gashit, Tahir Rrecaj, por trupi gjykues vendosi që Gashi të qëndrojë në sallë duke rekomanduar që ai të qëndrojë në spital edhe dy-tri javë tjera në mënyrë që t’i kryhen të gjitha ekzaminimet tjera mjekësore.
Seanca e radhës vazhdon të premten(sot), kur trupi gjykues do të vendosë në lidhje me deklaratat e Nazim Bllacës.