Thaçi kërkon koordinim për të vendosur rend në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur të premten në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendës ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Michael Marfy, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

 Kryeministri Thaçi ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se për të arritur këto objektiva nevojitet rritje e koordinimit dhe e vendosmërisë së mekanizmave ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë.
Të gjithë të pranishmit në takim dënuan ashpër aktin terrorist të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin humbi jetën qytetari i Kosovës, Selver Haradinaj.
Lidhur me incidentin e arrestimit të dy policëve kosovarë nga Serbia, kryeministri Thaçi tha se Policia e Kosovës ka autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor për të vepruar. “Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Kosovës, apo dinjitetin e uniformës së policisë së Kosovës, policia e ka mandatin të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, theksoi kryeministri.
Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, ata u dakorduan për angazhimin e koordinuar që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, dhe në këtë mënyrë të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe e funksionimit demokratik të institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.