EULEX, konfirmohet aktakuza për shmangie të tatimit

EULEX-i ka njoftuar se më 4 prill , një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Komunale të Pejës konfirmoi aktakuzën kundër Burim Sadikut dhe Bajram Sadikut. Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale të shmangies së tatimit përmes dy kompanive në Pejë që udhëhiqen nga ata.

“Të pandehurit kanë hequr dorë nga e drejta për shqyrtimin e aktakuzës dhe të dëshmive përmes avokatëve të tyre para seancës dëgjimore për konfirmimin e aktakuzës. Gjykatësi e shpalli aktakuzën të konfirmuar dhe të gjitha dëshmitë e marra gjatë hetimeve si të pranueshme”, thuhet në komunikatën e EULEX-it për media.
EULEX-i ka bërë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale i cili është marrë me rastin.