ROSU nën vëzhgim! (Video)

Një njësit i KFOR-it gjatë natës së mbrëmshme ka vëzhguar bazën e forcave speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, në Mitrovicë. Ekipi i KTV-së i cili ka kujdestaruar mbrëmë në këtë qytet ka vërejtur një veturë të KFOR-it duke patrulluar përreth bazës së njësisë speciale.

Burimet ndërkombëtare i kanë thënë gazetës “Koha Ditore” se KFOR-i ka pasur një informacion se njësia speciale e Policisë së Kosovës, e njohur si ROSU, do të intervenojë në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.
Burimet më tej kanë shtuar se KFOR-i ka paralajmëruar edhe zyrtarët e lartë të Policisë dhe Qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë që forcat speciale të kalojnë matanë lumit “Ibër”.
KFOR-i ka ndërmarrë këtë hap pasi nga NATO-ja është marrë informacioni se një njësi e forcave speciale të ROSU-s nga rajoni i Pejës është vendosur në Mitrovicë. Por, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se nuk ka pasuar ndonjë plan për lëvizjen e policisë.
Që pas vrasjes së fundit në veri, njësia speciale e Pejës po udhëton çdo ditë në këtë bazë, e cila, sipas burimeve të KTV-së, ka shtuar frikën te KFOR-i për ndonjë ndërhyrje të mundshme në veri, siç ishte ajo e 25 korrikut.
Ndërkaq, para pak çastesh ka përfunduar një protestë, raporton koha.net, e cila është mbajtur para selisë së EULEX-it në Mitrovicë.