KEK: Konsumatorët se paguajnë dy herë rrymën

Pas deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), se 40 për qind energjisë së prodhuar po humbet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke sqaruar se humbjet teknike dhe komerciale nuk janë mbi 40 për qind siç pretendon kjo parti, por viti 2011 është përmbyllur me nivelin 30 për qind dhe në tremujorin e parë të këtij viti humbjet kanë trend të rënies së mëtutjeshme. Humbjet teknike janë 16 për qind, ndërsa humbjet komerciale janë 14 për qind, e jo 24 për qind siç pretendon letërshkruesi.

“KEK është shoqëri aksionare në pronësi publike dhe i takon të gjithë qytetarëve te vendit. Përparimit e korporatës në katër vjetët e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme, ku inkasimi nga 96 milionë euro ka arritur në 201 milionë me 2011, prodhimi është rritur me 5-10 për qind çdo vit me kapacitete të njëjta prodhuese, ndërsa furnizimi ka patur rritje të madhe dhe sot reduktimet po harrohen”, theksohet në komunikatën për media të KEK-ut.
KEK gjatë katër vjetëve të fundit i ka zvogëluar këto humbje me mbi 11 për qind dhe është i zotuar që humbjet komerciale t’i dërgojë në zero thekson komunikata. Por, nevojitet edhe angazhimi i organeve të drejtësisë në këtë drejtim që të ketë sukses edhe më të madh.
KEK-u po ashtu thekson se më tepër se një muaj nuk ka reduktime fare për asnjë kategori në asnjë pjesë të vendit.
“Sa i përket subvencionimit të importit nga ana e Qeverisë së Kosovës, ai është subvencionim direkt i konsumatorëve dhe është zvogëluar me 50 për qind nga viti në vit. Gjatë 2012 nga buxheti janë ndarë 13 milionë euro për subvencionim të importit, ndërsa pjesa tjetër e importit prej 44 milionë eurosh po mbulohet nga mjetet vetanake të KEK-ut. Pra, konsumatorët nuk paguajnë dy herë siç pretendon letërshkruesi, sepse pjesa e subvencionimit të importit nuk llogaritet në tarifa. KEK i përkujton letërshkruesit se konsumatorët e Kosovës paguajnë tarifat më të ulëtat në rajon, pra jo vetëm që nuk paguajnë dyfish por paguajnë më së paku në krahasim me vendet e rajonit”.