Bosnjë e Hercegovina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi këtë nuk do të lejojë Republika Serbe, e cila është një faktor i domosdoshëm për stabilitetin e Bosnjës, ka thënë presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Ai ka thënë se Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë.
“Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë dhe popullin serb, për ta poshtëruar atë edhe një herë. Andaj, Kosova nuk mund të marrë legjitimitetin e Republikës Serbe”, transmetojnë mediat në Beograd deklaratën e Dodikut.
Ai ka thënë se Republika Serbe, pavarësisht presioneve të palës boshnjake, nuk do të lejojë që kjo çështje të shqyrtohet.
“Në Bosnjë nuk mund të kryeni asnjë punë pa pajtimin e Republikës Serbe, e cila mbron interesat dhe synimet e saj”, ka thënë Dodik, për të shtuar se “Kosova është burim i jostabilitetit afatgjatë në rajon”.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar për mediat boshnjake se është koha që Sarajeva të pranojë pavarësinë e shtetit kosovar, të shpallur më 17 shkurt të 2008-së.