Reporterët pa Kufij kanë përshëndetur kthimin në Kuvend të Kodit të ri Penal të Kosovës nga ana e presidentes Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar rishqyrtimin e neneve që kërcënojnë lirinë e shtypit.
“Ne përshëndesim këtë vendim nga presidentja, e cila ka treguar se është e vëmendshme ndaj shqetësimeve të gazetarëve vendas dhe komunitetit ndërkombëtar," ka thënë organizata për lirinë e shtypit.
“Është jetike që gazetarët të gëzojnë mbrojtje ligjore dhe të mos jenë subjekt i dënimeve penale pse po e kryejnë punën e tyre. Presidentja duhet të ndjekë të gjitha mjetet brenda mandatit të saj për të mbrojtur organizatat mediatike nga presionet ligjore, që nuk bëjnë gjë tjetër, pos që forocojnë vetë-censurën”, vlerësoi grupi “Reporterët pa Kufij”, njofton Rel.
Dy nenet e kontestueshme nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave, neni 37 dhe 38, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.