Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, në Departamentin e Shtetit është pritur nga ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Gordon, me ç’rast ka marrë mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovë.
Hoxhaj e ka informuar ndihmës-sekretarin Gordon për procesin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, ku Republika e Kosovës ka arritur një sukses shumë të madh në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe të jashtme, në reformimin e vendit dhe adresimin e nevojave ekonomike dhe sociale. Ndërsa, nga ana e tij, Gordon ka thënë se SHBA-të mbështesin fuqishëm zhvillimet pozitive brenda për brenda Kosovës dhe reformat e gjithëmbarshme. Ai ka theksuar se për SHBA-të, integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës është i paprekshëm.
Duke folur për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të njohjeve, Gordon ka paralajmëruar se SHBA-të do të mbështesin fuqishëm Republikën e Kosovës në përmbylljen e procesit të njohjeve si dhe në anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
Ministri kosovar e ka informuar bashkëbiseduesin edhe për gjendjen e tensionuar, vazhdimin e pranisë së barrikadave dhe praninë e strukturave ilegale të sigurisë, policisë dhe grupeve paramilitare serbe në veri të Kosovës. Me këtë rast, Hoxhaj ka ritheksuar se nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, pa largimin e barrikadave dhe pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë të afatshkurtra dhe afatgjata në rajon.