Partitë opozitare nuk do t’i mbështesin nismat e Qeverisë për formimin e një ekipi të përbashkët për trajtimin e çështjes së veriut të Kosovës. Në vend të formimit të grupeve dhe hartimit të strategjive, opozita kontributin e vet e ofron përmes institucioneve, përkatësisht Kuvendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se opozita përmes Kuvendit do t’i mbështeste hapat eventual të Qeverisë për normalizimin e gjendjes në veri, pa pasur nevojë që të krijohen grupet e përbashkëta punuese.
“Edhe po të ketë ftesë, LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet kurrfarë grupi që formon Qeveria, në këtë rast, as për çështjen e veriut. Fundi i fundit ne konsiderojmë që formimi i grupeve është vetëm për të humbur kohë dhe për të mos kryer punë. Qeveria, partnerët e koalicionit e kanë përgjegjësinë dhe le t’i kryejnë punët e veta”, thotë Beqiri, raporton REL.
Një qëndrim kundër përfshirjes së pozitës dhe opozitës në kuadër të një ekipi të përbashkët për veriun ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, thotë se veriu mbetet çështje jetike dhe sfidë për shtetin e Kosovës. Por, ai e konsideron si aventurë përfshirjen e opozitës në planet e Qeverisë…
“Në asnjë mënyrë nuk do të jemi qorrazi pjesë e projekteve me përplot sekrete e të panjohura dhe deri më tani Qeveria ka dëshmuar që ka bërë vetëm aventurë me veriun e Kosovës dhe ne nuk do të jemi pjesë e aventurave. Ne nga jashtë do t’i sfidojmë dhe parandalojmë zhvillimet e këqija për veriun dhe vendin në përgjithësi”, thekson Luma.
Sidoqoftë, gjendja në veri të Kosovës mbetet e brishtë. Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e tyre në atë pjesë për shkak të kundërshtimeve nga strukturat politike të serbëve lokalë, të cilët nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Këto struktura mbështeten dhe dirigjohen nga Beogradi zyrtar.