Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ismet Ibishi, ka thënë se komunat të cilat kanë shpallur këto ditë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të të reshurave të borës, kanë shkelur hierarkinë e ligjshmërisë.
“Komuna nuk ka të drejtë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Niveli komunal gëzon të drejtën të emërojë koordinatorin e emergjencave në nivel lokal dhe të ngrejë gatishmërinë e potencialeve të veta në nivel të lartë, por nuk ka të drejtë të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Të gjitha komunat që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshëm janë ndeshur me rregullat strategjitë dhe ligjet e vendit”, ka thënë Ibishi, ndërsa transmeton Zëri.
Sipas zëvendësministrit, është dashur që Qendra Operative Rajonale të vlerësojë fillimisht situatën dhe kjo qendër të njoftojë Qendrën për Menaxhimin e Emergjencave, e cila më pas përcjell shqetësimet tek institucionet e tjera.
“Pra unë si organi më i lartë për menaxhimin e emergjencave në nivel kombëtar thërras të gjitha autoritetet dhe në bazë të të dhënave bëhet vlerësimi nëse konstatohet se gjendja është e rëndë, atëherë është në autoritetin e presidentit të vendit të shpallë gjendje të jashtëzakonshme”, ka shtuar.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se për komunën që ai udhëheq është vetë përgjegjës. Sipas tij, po të pritej hierarkia që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme qytetarët do të mbeteshin akoma të ngujuar. Veliu ka thënë se ajo pak ndihmë që u ka shkuar më shumë ka pasur efekt medial, sesa që është bërë ndonjë ndihmë.
“Për komunën time, unë gjendjen e jashtëzakonshme e shpall vetë, nuk kam nevojë me pritë as ministrinë e as presidenten. Sepse unë jam bashkë me qytetarët e as Ministria e as presidentja kurrë nuk kanë ardhur t’i shohin qytetarët se në çfarë gjendjeje janë. Unë nuk kam nevojë të merrem me këto punë përderisa qytetarët ballafaqohen me vështirësitë nga bora që ka rënë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, zëvendësministri Ibishi thotë moti i lig që mbretëroi këto ditë në Kosovë ka bërë që të jetë një gatishmëri më e lartë, por jo edhe për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndryshe, si rrjedhojë e reshjeve të mëdha disa komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si Podujeva, Peja, Juniku, Kaçaniku dhe Vitia, ndërkaq Vushtrria dhe Mitrovica kanë shpallur gjendje të gatishmërisë së lartë.