‘Presioni është mbi palën kosovare’

Shefi i ekipit negociator të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka përgënjeshtruar shkrimet e disa medieve se kohëve të fundit janë shtuar presionet ndaj Serbisë që të ketë rezultat për përfaqësimin rajonal të Kosovës deri kah mesi i shkurtit.

Në një intervistë për Politika, ai ka pohuar se kësaj radhe “presionet janë mbi palën tjetër, së paku në këtë fazë”. Ai ka thënë se Serbia ka hyrë me mençuri në këtë proces duke u mbështetur në interesin kombëtar dhe Rezolutën 1244.
“Fokusi i aktiviteteve të bashkësisë ndërkombëtare është në Prishtinë. Interesi ynë është që të gjejmë zgjidhje në afat sa më të shkurtër dhe në atë aspekt ne kemi dhënë disa propozime për zgjidhje. Kemi qenë aktivë dhe konstruktivë dhe kjo e ka forcuar pozicionin tonë para marrëveshjes së mundshme rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës”, ka deklaruar Stefanovic.
Ai ka shtuar se të gjithë pajtohen se dialogu i deritanishëm ka sjellë rezultate të shkëlqyeshme dhe të pranueshme, ndërsa ka shtuar se pala serbe në asnjë mënyrë
nuk do ta flijojë “interesin kombëtar në Kosovë, Kushtetutën dhe ligjin”.