Është qenësore që Kosova të ketë një ulëse

Duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, i porsaemëruari përfaqësues special i BE-së për Kosovë, Samuel Zbogar, ka theksuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje për të integruar këtë pjesë të vendit. Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj ai beson se përkundër faktit që situata në veri aktualisht nuk është e mirë, institucionet do të gjejnë zgjidhje për ta ndryshuar gjendjen.

“Veriu nuk guxon të shndërrohet në konflikt të ngrirë”, ka deklaruar Zbogar në një intervistë për RTK-në, ndërsa ka folur edhe për mosmarrëveshjet që po zvarrisin dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Në takimet e ndryshme, përfshirë këtu edhe takimet e Këshillit të Sigurimit, vendet përfaqësohen vetëm me emrat e tyre, pa e specifikuar a është fjala për republikë apo për mbretëri”, ka theksuar Zbogar, duke shtuar se është qenësore që Kosova të ketë një ulëse, ashtu siç e kanë vendet e tjera nëpër forumet e ndryshme.
Përfaqësuesi special i BE-së ishte i qartë se marrëveshja përkitazi me këto çështje do të ndihmonte që Kosova të krijojë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, të cilat aktualisht nuk i ka. Sipas tij, marrëveshja e Kosovës për mënyrën se si do të përfaqësohet ajo në forumet rajonale e ndërkombëtare do të ndikojë edhe në qëndrimin e vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Ai e ka cilësuar si ‘të mirë’ idenë për një takim eventual mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadic.