Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka bërë thirrje udhëheqësve kosovarë që të mos pranojnë asgjë tjetër për veriun, pos zbatimit të Planit Ahtisaari që, sipas tij, ishte kompromisi i të gjithëve.
“Nuk ishte e lehtë të arrihej deri te pakoja e Ahtisaarit. Mes kompromisesh, ky propozim zgjidhjeje rezultoi i mirë për Kosovën, u pranuan disa komuna të reja serbe e në të parashihet edhe zgjidhja për Mitrovicën. Asnjë plan tjetër nuk duhet pranuar, pos zbatimit të Planit të Ahtisaarit për Kosovën", ka thënë Sejdiu në një ligjëratë në Shkollën Politike, ndërsa transmeton Indeksonline.
Ai nuk është shprehur kundër dialogut me Serbinë, por ka kërkuar që të kihet kujdes në marrëveshjet që arrihen, e veçmas problem për të do shfaqen edhe fusnotat e çfarëdo tjetër që nuk është në favorin e vendit.
Sipas ish-presidentit, duhet një baraspeshë e qartë pushtetesh, ndërsa politika nuk duhet të ndërhyjë në sistemin gjyqësor, në institucione të pavarura, në polici apo dogana.