Seriali “Kombinati” që ka nisur mbrëmë në platformën kabllovike të rrjetit “Kujtesa”, është një komedi e cila vë në thumb të kritikës, nëpërmes humorit të hollë, problemet që përcjellin ndërmarrjet shoqërore në vend. Aty, ku gati secili është njëfarë shefi, dhe ku askush nuk çan kokën për ndërmarrjen duke tentuar që secili të përfitoj personalisht sa më shumë.
Në një ambient pune, pothuajse të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, aktorët e serialit më të ri vendor, në mënyrë komike trajtojnë fatin e keq të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Ky serial që do të shfaqet çdo të diel në K-Channel, ka nisur premierën mbrëmë, ndërsa menjëherë ka pasur edhe reagime pozitive sa i përket lojës së artorëve, temës që ata trajtojnë por në veçanti falënderime për kompaninë Kujtesa e cila mblodhi një gamë të çmuar të aktorëve kosovarë për të realizuar një serial vendor dhe shfaqur atë para publikut.
Ky serial, do të ketë disa edicione, ndërsa në edicionin e saj të parë do të ketë 40 episode. Ai është pjesë e produksionit ‘Isstra Creative Factory’, me autor dhe producentë ekzekutivë Shkumbin Istrefi e Mentor Shala, i cili është edhe regjisor, me asistencë regjie të Blerta Basholli, njëherësh edhe bashkëskenariste me aktorin Armond Morina.
Ndër emrat më të veçuar të këtij seriali, janë Armond Morina, i cili luan në rolin e Shaqës, si zëvendësdrejtor i ndërmarrjes, një burrë manipulues, i cili shfrytëzon asetet e firmës për përfitime private.
Yllka Gashi luan në rolin e Shehides, porse bëhet shumë nervoz nëse ndokush e thërret në emër, pasi bukuroshja preferon që ta quajnë Sheki. Ajo është një zyrtare e lartë për fotokopje. Sheki, ka hyrë në punë me mbështetje politike, vjen në punë kur t’i teket dhe nuk i jep llogari askujt. Është thellësisht e preokupuar me dukjen e saj.
Ilir Prapashtica, është shoferi dhe miku i madh i Shaqës. Në rolin e Zeqës, ai luan një tip poltroni i cili ushtron autoritet në ata që i ka nën të dhe i nënshtrohet atyre që kanë fuqi.
Luan Jaha, luan rolin e Fahriut. Një portier i Kombinatit, një fshatar i cili e ka lëshuar banesën e tij në Prishtinë me qira dhe jeton në kioskën e portës. Ky e ka një kushëri të fortë politikisht dhe askush nuk guxon t’ia prishë.
Luan Jaha, luan rolin e Fahriut. Një portier i Kombinatit, një fshatar i cili e ka lëshuar banesën e tij në Prishtinë me qira dhe jeton në kioskën e portës. Ky e ka një kushëri të fortë politikisht dhe askush nuk guxon t’ia prishë.
Aktorja e madhe Leze Qena, luan në rolin e Dadës. Një pastruese e Kombinatit, dikur (gjatë kohës së ish-Jugosllavisë) grua e fortë. Problemin kryesor e ka me e “rehatuar” vajzën e saj Tinën. E menaxhon edhe bufenë e Kombinatit, bashkë me vajzën.
Valina Muçolli luan rolin e vajzës së Dadës, pra kjo është Tina një vajzë “darkerkë“ që nuk pajtohet me kriteret e kohës, luftën për ekzistencë, turbofolkun, etj.
Ylber Bardhi, është djali i Masarit (komercialistit të dikurshëm të Kombinatit). Ai luan rolin e Fidanit, dhe vjen në Kombinat, si zakonisht, me të njohshëm, por pasi ka përfunduar studimet në Tiranë. Babai i tij Masari, ia “trashëgon“ vendin e punës, pa dëshirën e tij. Meqenëse është i rritur në mentalitet ku prindi vendos për fatin e tij, ai “duhet“ t’i nënshtrohet.
Në këtë serial, i cili do të transmetohet çdo të diel, luajnë edhe shumë aktorë tjerë, ndërsa herë pas here do të ketë edhe prurje të reja.