Votohet projektstatuti i LDK-së

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (KP i LDK-së), në mbledhjen e tij të pestë, të mbajtur të hënën, miratoi Orientimet Programore dhe Projektstatutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Ndryshime dhe Plotësime.

“Dokumentet, pas një debati të hapur dhe tejet përmbajtjesor, u miratuan me shumicë absolute votash”, thuhet në një komunikatë për media. Për votuan 80 anëtarë të Këshillit, 1 ishte kundër dhe pati 1 abstenim.
Këto dokumente janë pjesë e procesit të reformimit të brendshëm të LDK-së dhe u miratuan pas debatit në terren, me përfaqësues të degëve, nëndegëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së. Këshilli po ashtu i ka dhënë përkrahje të plotë vazhdimit të reformave në LDK.