Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti të hënën në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff, me të cilin diskutoi për situatën politike aktuale në vend, si dhe rrjedhat e dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për reformat e domosdoshme që po ndermirën në arritjen e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2012, me qellim integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO. Ajo vlerësoi lartë vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, dhe fillimin e përgatitjeve për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Një pjesë e bisedës u përqendrua në dialogun teknik me ç’rast të dy palët u pajtuan se dialogu teknik është në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal dhe rritë perspektivat evropiane për Kosovën.
Po ashtu gjate takimit u theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, me theks të veçantë për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufjeve, dhe domosdoshmërinë e heqjes se barrikadave dhe strukturave paralele serbe me qellim të normalizimit të asaj pjese dhe shtrirjes se plote të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës se Kosovës.
Ambasadori Cliff, nga ana e tij, ritheksoi mbështetjen e fuqishme të shtetit të tij për forcimin e shtetit të Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Britanisë për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.