Disa organizata studentore, të përkrahura edhe nga disa veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë protestuar të hënën kundër procesit gjyqësor që po mban EULEX-i ndaj ish- komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj dhe disa luftëtarëve të tij.
Nën moton “Liri për çlirimtarët”, mbi 100 persona kanë marshuar nga oborri i Universitetit të Prishtinë deri para Teatrit Kombëtarë, duke bërë thirrje për të gjitha institucionet e vendit që të mos heshtin para këtij gjykimi, të cilin ata e kanë quajtur si gjykim politikë.
Protestuesit kanë kërkuar nga EULEX-i që të heq dorë nga gjykimi i ushtarëve të UÇK-së, të dirigjuara nga Beogradi, raporton “Express”.
Protestuesit kanë kërkuar nga EULEX-i që të heq dorë nga gjykimi i ushtarëve të UÇK-së, të dirigjuara nga Beogradi, raporton “Express”.
Anëtarë të Këshillit Organizativ të protestës janë shprehur të bindur se lufta ka qenë e pastër si loti dhe se nuk duhet krahasuar me luftën që ka bërë Serbia, dhe se, sipas tyre, pikërisht kjo e fundit po paguan dëshmitarë.
Nehat Gashi, nga Këshilli organizativ, ka kërkuar nga EULEX-i që t’i lirojë të gjithë dëshmitarët pa asnjë kusht.
“Ne u themi gjykatave tona dhe atyre të EULEX-it përderisa Haga i shpalli të pafajshëm çka po duan këta. Mbetemi me shpresën se kësaj radhe zëri ynë do të dëgjohet fuqimisht”, ka thënë ai.
Në protestë është kërkuar nga Brukseli që të sa më shpejtë të bëjë një ekip të pavarur, i cili do të merrej ekskluzivisht me hetimet dhe mënyrën e ngritjes së akuzave të luftëtarëve të lirisë, ngase, sipas tyre, vetëm atëherë do të kuptohej se këto akuza janë pjellë e politikës ditore.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe luftëtarët e brigadës 121. Komandanti i saj, Skender Hoti ka deklaruar se ky gjykim është i turpshëm, pasi dihet që të gjitha ata që po gjykohen në rastin Kleçka, kanë luftuar për të mbrojtur popullin dhe vendin.
“Kjo akuzë është e orkestruar nga EULEX-i, e dirigjuar nga Beogradi e nga njerëz të ulët, të paguar, të trajnuar, të shpifur që po tentojnë të njollosin vlerat më sublime, më të vlefshme të këtij populli, vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.