Statusi i kandidatit, më shumë fonde për bujqësinë

Shqipëria do të mund të marrë më shumë fonde nëse fiton statusin e vendit kandidat për në BE. Kështu deklaroi ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili ndër të tjera shtoi se vetëm në sektorin e bujqësisë BE ka investuar 2 milionë euro dhe se në vitet e ardhshme do të mund të investohen edhe 6.2 milionë euro. Sequi u shpreh i bindur se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në konferencën përmbyllëse të projektit "ngritja e kapaciteteve për implementimin e strategjisë së zhvillimit rural", ministri i Bujqësisë Genc Ruli u shpreh se në vitet e fundit Shqipëria e ka rritur numrin e eksporteve deri në 30 për qind. E ndërsa ambasadorja e Gjermanisë, Karola Muller Holtkemper, pohoi se në sektorin e bujqësisë në Shqipëri ka shumë vend për tu përmirësuar dhe se shteti që ajo përfaqëson do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë fushë jetike.
Fakti që ne kemi investuar deri tani është, për ta përgatitur Shqipërinë që ti bashkëngjitet Bashkimit Europian dhe për të treguar se ne besojmë tek ju për të bërë më të mirën për të fituar statusin e vendit kandidat, në BE. Ne besojmë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha kriteret për të fituar statusin e vendit kandidat, ne kemi besim tek ju.
Bashkimi Europian e asiston Shqipërinë që në fillim të viteve 90-të. Ne do të vazhdojmë ta asistojmë atë. Vëmendje e veçantë, në të ardhmen do ti kushtohet investimeve në sektorin e bujqësisë.