Ekonomia gjermane shënoi rënie

Ekonomia gjermane ka shënuar rënie prej 0.2 për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Këto të dhëna i kumtoi Zyra Federale për Statistika me seli në Wiesbaden. Kjo është hera e parë që ekonomia gjermane shënon rënie në dy vitet e fundit. Mirëpo kjo rënie ishte më e vogël se pritej. Shkaku për këtë minus është mungesa e impulseve në tregti me vendet tjera si dhe kriza e borxheve, që ka kapluar disa vende të Bashkimit Evropian, thonë ekspertët.

"Rezultatet pak më të dobëta në fund të vitit 2011 nuk janë kurrfarë shkasi për ndonjë brengosje të thellë për recesionin e mundshëm. Ekonomia gjermane është një prej më të fuqishmëve dhe e vendosur në këmbë të shëndosha. Jam i bindur se Gjermania do të përballet me sukses me të gjitha sfidat", deklaroi Anton F. Börner, kryetar i Shoqatës Federale për Tregtinë Grosiste, Tregtinë e Jashtme dhe Shërbimet me vendet e tjera.
Me gjithë rezultatet më të dobëta në tremujorin e fundit, ekonomia gjermane ka shënuar një rritje gjatë vitit të kaluar. Madje edhe në tre muajt e fundit të vitit 2011 ekonomia gjermane ka shënuar madje rritje në eksport dhe shërbime për 1.5 për qind krahasuar me një vit më parë.