Misioni i vështirë i Berishës

Merak i ka mbetur të lobojë edhe në Egjipt e Libi. Pas vizitës në 95 shtete të botës, beson se e ka ndihmuar shumë Kosovën. Thotë se burgun afrikan askush nuk mund ta imagjinojë pa e parë si është. Pasaporta e Kosovës i doli të jetë më e vlefshme sesa ajo amerikane.

Pas tri vjet fluturimi rreth e qark botës, e me 300 mijë euro të shpenzuara, James Berisha shprehet për “Express” se me misionin nuk ndjehet fare i zhgënjyer.
“Misioni në tërësi ka vuajtur shumë... Sa herë kemi mbetur pa ushqim, nuk mund ta imagjinoni. Sa herë kemi mbetur pa asnjë cent, vetëm këta të grupit e dinë. Si mision kemi vuajtur ditë e natë, por me siguri, sikur të ishte mision shumë më i lehtë i botës moderne, ndoshta nuk kishte pasur aq shumë respekt”, ka thënë ai.
Ndryshe, James Berisha në KTV ka thënë se në Eritre është arrestuar si shtetas amerikani agjent i CIA-së, praktikë kjo e ndjekur nga Eritrea për çfarëdo shtetasi amerikan.
"Kam qenë i arrestuar nga shërbimi sekret. Nuk më është lejuar as komunikimi me familjen, që dëshiroja t'ju tregoj se jam mirë, në këtë planet. Kushtet në burg kanë qenë katastrofale dhe shumë të këqija. Në fillim nuk më kanë lejuar të dal fare jashtë qelisë së burgut. 30 për qind e kam ditë që jam gjallë, kurse 70 për qind kam menduar se jam i vdekur. Kjo përqindje e trupit tim po vdiste", ka thënë Berisha.