Mesë nesër do të rifilloj procesi mësimor, autoritetet komunale, në bashkëpunim me Policinë Rajonale të Pejës, kanë nisur një plan operativ për të liruar një pjesë të rrugës për kalimin e nxënësve.
Udhëheqësi i shërbimeve teknike në Drejtorinë për Punë Komunale, Skënder Avdyli, ka thënë se komuna po përpiqet që ta krijoj një terren të sigurt për udhëtimin e nxënësve për në shkollë.
“Trotuaret nuk kanë mundur të lirohen tërësisht. Qarkullimi në skaj të rrugës paraqet ende rrezik për nxënësit, nga rënia e sasive të borës nga pullazet. Andaj, jemi duke u përpjekur që të lirojmë një skaj të rrugës, për kalimin e nxënësve”, potencoi Avdyli për “kosovapress”.
Edhe zyrtarë të policisë Rajonale të Pejës thanë se plani operativ përfshinë shpërndarjen e patrullave policore nëpër rrugë dhe në afërsi të shkollave, në mënyrë që të ndihmohet qarkullimi i nxënësve dhe kalimtarëve tjerë.
Policia sërish apelon tek ngasësit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të rrisin vigjilencën, për shkak të ngricave eventuale në rrugë.
Ndryshe, kryetari Ali Berisha sot e ka shpallur e përfunduar gjendja e jashtëzakonshme në Pejë.