Kërkohet sërish masa e arrestit shtëpiak për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj. Avokati i tij, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se rikthimi i kësaj mase është kërkuar nga prokurori i çështjes, Maurisio Salustro, pas vendimit të gjykatës për vazhdimin e procesit gjyqësor për njësitet komanduese të UÇK-së.
Rrecaj tha se ka proceduar menjëherë me një kërkesë në gjykatë se shqiptimi i masës së arrestit është i panevojshëm, dhe se nuk ka bazë ligjore për këtë.
Në ditët në vijim pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në të cilën do të vendoset edhe për këtë çështje.
Limaj ishte liruar nga arresti shtëpiak pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për t’i shpallur të papranueshme dëshmitë e dëshmitarit të vdekur Agim Zogaj.