NBA: James dërgon Heat në play-off

Në mungesë të Dwayne Wade, LeBron James ka shënuar pikët më të larta të sezonit, 41 gjithsej, për të ndihmuar Miami Heat të mposhtë Philadelphia 76ers me rezultat 99-93 për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në play-off.

Wade ishte jashtë fushe për shkak të një dëmtimi, por mungesën e tij pa problem e mbuloi James, duke e afruar skuadrën e tij dy ndeshje e gjysmë afër kreut, ku ndodhet lideri i Konferencës Lindore, Chicago Bulls.
Disfata e zbret 76ers një ndeshje e gjysmë prapa Boston Celtics në Divizionin Atlantik, derisa në renditjen e përgjithshme të Lindjes ata pozicionohen në vendin e shtatë.
Në muajin e fundit të sezonit të shkurtuar (nga 82 në 66 ndeshje) për shkak të shtyrjes së fillimit të sezonit, lufta për pozitat që dërgojnë në play-off është bërë më e nxehtë.
Prapa Miamit pozitën e tretë të Lindjes e forcuar Indiana Pacers, që ka fituar 112-104 ndaj New York Knicks, që ndodhen në pozitën e tetë.
Vendi i pestë në Konferencën e Lindjes i takon Orlando Magic, që tash është vetëm një ndeshje larg Atlanta Hawks pas fitores 102-92 ndaj Detroit Pistons.