Deputetët e PDK-së “tallen” me stafin e Auditorit të Përgjithshëm

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për “Programin e Investimeve Publike (PIP)”, i cili është diskutuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka nxitur reagimin me tone të ngritura të deputetëve të PDK-së, anëtarë të këtij Komisioni. Të fundit, madje kanë shfaqur dilema rreth nivelit profesional të auditorëve, të cilët në këtë mbledhje kanë raportuar gjetjet para zyrtarëve të Ministrisë së Financave, dhe merrnin pjesë aty për të dhënë përgjigje.

Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, ka mbrojtur gjetjet e paraqitura në raportin e tyre “Ka mungesë të ndërlidhjes së të dhënave me raporte, ku brenda një raporti individual nuk gjenerohet progresi financiar automatikisht, dhe kjo nuk bën të mundur përcjelljen e ecurisë së projekteve në vazhdim dhe atyre të rejave, në mënyrë të ndarë”, janë disa nga dobësitë e raportit që prezantoi Olofsson.
Në raport më tej thuhet se sistemi lejon hyrjen në obligime për projekte pa fonde të mjaftueshme. Një gjetje tjetër ishte se ka mungesë të analizës së kostos/përfitimit për projekte të mëdha, pastaj se nuk janë vendosur të gjitha informatat në PIP për sa u përket transfereve të ndodhura nga një projekt në tjetrin.
Rreth shumicës së këtyre gjetjeve, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se janë dhënë komentet me kohë, ku është sqaruar se ato janë përmirësuar, apo janë në përmirësim e sipër, ndërsa ka përmendur një fakt interesant. Kur fliste për projektet pa fonde të mjaftueshme, ai ka thënë se duhet pasur parasysh se neni 7 dhe 13 i Ligjit për Buxhetin, lejojnë mundësinë e ndryshimit të disa projekteve deri në momentin e fundit. “Prandaj, ndryshimet në buxhet kanë ndodhur duke u bazuar në këtë”, ka thënë Hamza.
Në kohën kur është hartuar raporti ende nuk kanë qenë të mbyllura dhe të aprovuara projeksionet buxhetore, meqë sipas tij auditori e ka kryer këtë punë në muajin nëntor të vitit të shkuar. “Po flasim për një sistem të teknologjisë, i cili po zhvillohet aq hovshëm, ndaj edhe ky fakt është dashur të merret parasysh”, ka thënë Hamza.
Ai e ka lëshuar takimin menjëherë pasi që ka kryer fjalën, pa e pritur madje as përgjigjet që filloi t’i jepte Olofsson në lidhje me çështjet që ai shtroi. Ky i fundit ka thënë se janë të mirëseardhura disa përmirësime që janë bërë nga Ministria e Financave, që kur auditori ia ka dërguar raportin për të dhënë komentet e tyre.
Pas kësaj, kanë reaguar që të tre deputetët e PDK-së, që i takojnë këtij komisioni. “A keni staf të profesionalizuar për të audituar këso çështjesh”, ka pyetur fillimisht Valbona Dibra, deputete e PDK-së, auditorin Olofsson. Dhe, kur kësaj pyetjeje i është përgjigjur, njëri nga auditorët, duke thënë se është matematikan dhe ka edhe magjistraturë, ka ndërhyrë Ramiz Lladrovci i PDK-së, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit.
“Po të ishte ashtu, do të ishe duke punuar diku me pagë prej 5 mijë eurosh, e jo si auditor. Ne e dimë sa e ke pagën”, ka thënë Lladrovci.
Kryetari i Komisionit, Ali Sadria, deputet i LDK-së, i ka kërkuar Lladrovcit që të mos ndërhyjë, por ai e ka ngritur tonin duke thënë se “kam të drejtë të flas, sepse jam nënkryetar dhe unë s’kam nerva me ngu atë kah më tregon këtu se çfarë diplomash ka, apo nëse është i certifikuar nga Microsofti”.
E pas tij fjalën e ka marrë deputeti tjetër i PDK-së, Adem Grabovci, duke thënë se realiteti është shumë më pozitiv sesa që po paraqitet nëpër këto raportet e auditorit. “Ju duhet të keni parasysh lëvizjet shumë pozitive që janë bërë, e jo të hartohen raporte të tilla”, ka thënë Grabovci, duke iu drejtuar auditorëve.