Kuçi: Kosova ka pasur një okupator të rëndë

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në akademinë përkujtimore me rastin e 13 vjetorit të Masakrës së Kralanit, ka thënë se Kosova ka pasur një okupator të rënd, një okupator që nuk ka kursyer as popullatën civile, por i cili ka paguar çmimin përballë botës demokratike.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se në fjalën e tij të mbajtur në këtë akademi, Kuçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka shprehur dhimbjen dhe respektin për të gjithë ata të cilët kanë pësuar në këtë masakër, për familjet e tyre dhe për të gjithë të pagjeturit që sipas tij, janë brengë e madhe jo vetëm për familjaret e tyre, por për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Maskara e Kralanit është një pjesë e memorieve më të hidhura gjatë luftës së fundit në Kosovë, por që tregon njëkohësisht çmimin e lartë që ka paguar Kosova për liri dhe pavarësi”, u shpreh Kuçi, duke shtuar se Kosova ka ardhur këtu ku është sot, falë gjakut të dëshmorëve, punës së madhe të bërë nga njerëzit e rënë dhe të gjallë.
Zëvendëskryeministri tha se Kosova ka pasur një okupator të rënd, një okupator që nuk ka kursyer as popullatën civile, por i cili ka paguar çmimin përballë botës demokratike.
Në masakrën e Kralanit janë vrarë 87 persona, ndërsa ende mbetet i pazbardhur fati edhe i 51 personave tjerë.
Në këtë akademi përkujtimore u bë edhe promovimi i monografisë “Masakra e Kralanit”, përgatitur nga Jusuf Osmani dhe Ramë Manaj.