Gjyqtarët në procesin gjyqësor "Medicus" në Prishtinë, thonë se do ta ftojnë si dëshmitar raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Një panel i dominuar nga gjyqtarët e Bashkimit Evropian tha se “do të lejojë deklaratë” të Martyt për dyshime për trafikim të organeve, gjatë luftës në vitet 1998-99 në Kosovë.
Rasti 'Medicus" ka të bëjë me akuza të ngritura për shtatë persona, nën dyshimet për trafikim organesh dhe transplantim të paligjshëm. Në mesin e të akuzuarve janë Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini dhe Ilir Rrecaj.
“Marty pretendon se ai ka informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj ne do të kërkojmë nga ai të tregoj se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”, ka thënë për AFP gjyqtari kryesues, Arkadiusz Sedek nga Polonia.
Në raportin e tij, Dik Marty pati akuzuar pjesëtarët e ish UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për involvim në krim të organizuar dhe trafikim të organeve gjatë dhe pas luftës.
Kosova dhe Shqipëria në mënyrë të fuqishme i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë hedhur poshtë raportin e tij.
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Jonathan Ratel, në seancën e 23 marsit kishte kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit thirret edhe Marty, raportues i Këshillit të Evropës.
“Unë i kam të gjitha arsyet të besoj se ai mban në posedim evidencën për këtë rast”, ka thënë Ratel.
Ndaj propozimit të prokurorit Ratel kishte reaguar mbrojtja, duke thënë se nëse Martyi ftohet të dëshmojë lidhur me këtë rast penal, atëherë gjykimi do ta humbë esencën e penales dhe do të shndërrohet në politike.
Kohë më parë, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë të ndara rasti "Medicus' dhe “krimet e luftës, të kryera në Shtëpinë e Verdhë”.