Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, u është përgjigjur gjyqtarëve të ndeshjes pas disfatës 3-1 nga Barcelona në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja ishte 1-1 para se gjyqtari të akordojë penaltinë e dytë duke supozuar se Nesta tërhoqi Sergio Busquets për fanellë, pasi ai ishte shtyrë fillimisht nga Carles Puyol.
“Unë e tërhoqa Busquets ca, por isha i bllokuar nga prapa nga Puyol. Ishte faull në mua po ashtu. Së paku nga ajo çfarë unë pashë në fushë, gjyqtari e akordoi faullin para se topi të hynte në lojë”, ka thënë Nesta, pas takimit të mbrëmshëm.
“Në Itali akordohen më shumë faulle në përgjithësi, derisa në Evropë jepen më pak faulle dhe më shumë penalti të tilla për tërheqje të fanellën. Mendoj se gjyqtari mund ta kishte bërë punën më mirë sonte”.
“Ne kishim një ndeshje të barabartë, por ata kishin Leo Messin, që për mua është 70 për qind në skuadër. Ai e bën diferencën. Ata janë skuadra më e fuqishme në botë, por Milani ka gjithë çfarë nevojitet dhe potencial për të ngushtuar diferencën”, ka shtuar mbrojtësi italian.