Thaçi s'e zgjodhi Mustafin!

Qeveria e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik lidhur me disa shkrime në media rreth Task Forcës Antikorrupsion, themelimin e përbërjen e saj, në veçanti emërimin e prokurorëve, që lidhet me rastin e Nazmi Mustafit, shef i Task Forcës Antikorrupsion, i cili u arrestua dy ditë më parë nën dyshimin për korrupsion.

“Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është miratuar në Kuvend, i cili rregullon kompetencat dhe përzgjedhjen e prokurorëve në kuadër të kësaj prokurorie dhe ku shihet qartas se Qeveria e Kosovës nuk emëron prokurorë në asnjë rast, as në rastin e emërimit të prokurorëve të Task Forcës Antikorrupsion”, thuhet në deklaratën për media të Zyrës për informim të Kryeministrisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 26.02.2010 ka nxjerrë vendimin, në të cilin ceket se: “Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themelojë një Departament Special Antikorrupsion, me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë”.
Po ashtu, në bazë të këtij vendimi, Qeveria është zotuar se do të vë në dispozicion të këtij departamenti të gjitha resurset e nevojshëm logjistike dhe stimulim financiar për punonjësit e këtij departamenti, në mënyrë që departamenti të jetë efikas në punën e tij.
“Në bazë të gjithë kësaj, që u potencua më lartë dhe vendimit të Qeverisë, ritheksojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka përcaktuar përbërjen e prokuroreve, por ka mbështetur themelimin dhe funksionalizimin e saj në shërbim të luftës kundër korrupsionit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative, sipas kompetencave Kushtetuese dhe Ligjore, në funksion të fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Çdo tendencë për interpretim tjetër të emërimit të prokurorëve në këtë Task Forcë, apo edhe në çdo rast tjetër është jo ligjore dhe joprofesionale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.