Hetimet për konflikt interesi nuk i kanë penguar drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, që Sejdi Rexhepin nga pozita e anëtarit të thjeshtë ta emërojnë kryetar bordi. Rexhepi po hetohet nga Agjencia Kundër Korrupsion për mbajtjen e dy posteve – atë të prorektorit në Universitetin e Prishtinës dhe si anëtar i thjeshtë i bordit.
Në pozitën si prorektor për buxhet dhe financa, Rexhepi është emëruar pas ardhjes së rektorit Ibrahim Gashi. Në të njëjtën kohë ai e ushtronte edhe funksionin si anëtar i bordit të BQK-së.
Por, pavarësisht hetimeve, në mbledhjen e fundit, bordi aktual i BQK-së ka vendosur që nga anëtar i thjeshtë Rexhepin ta emërojë kryetar të bordit. “Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e gjashtëdhjetenjë, të mbajtur më 29 nëntor 2012, mori vendimet si në vijim: emëroi Sejdi Rexhepin për kryetar të Bordit të Bankës Qendrore”, thuhet në vendimin e fundit të Bordit të BQK-së.
Në Agjencinë antikorrupsion thonë se janë në dijeni lidhur me këtë rast dhe se po punojnë për të parë se a ka konflikt interesi, shkruan Express.
Kreu i kësaj agjencie, Hasan Preteni, thotë se gjithçka do të sqarohet pas përfundimit të procedurave. “Në ketë rast Agjencia tashmë është duke punuar. Ju rikujtoj se për ta trajtuar një rast duhet të realizohen procedurat e nevojshme të përcaktuara me ligj. Ligji përcakton se procedura është e mbyllur për publikun dhe i njëjti informohet vetëm me vendimin final të Agjencisë”, theksoi Preteni.
Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore, përzgjedhja e Rexhepit si kryesuese bordi është bërë pasi ka skaduar mandati i kryetarit paraprak. Këtë detyrë e ushtronte profesori i ekonomisë Gazmend Luboteni. “Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mbledhjet e Bordit të Bankës Qendrore kryesohen nga kryetari, i cili zgjidhet prej Bordit të Bankës Qendrore nga radhët e anëtarëve joekzekutivë të tij”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për marrëdhënie me medie në BQK.
Nga viti 2002 deri me 2007, kryetari i sapoemëruar i Bordit Sejdi Rexhepi ka qenë këshilltar në Kuvendin Komunal në Prishtinë nga radhët e PDK-së.
Prorektori në BQK
12:40
Unknown