Mbi 16 mijë euro për zhvillimin e blegtorisë në Mitrovicë

Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Mitrovicë ka përfituar një donacion prej 16 210 euro nga Asociacioni për Paqe në Kosovë (AFPK) që mbështetet nga Komuna e Goricias së Italisë. Ky donacion do të shfrytëzohet për të mbështetur kryesisht zhvillimin e blegtorisë në Komunën e Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Bislim Imeri, tha se ky donacion vjen pas një bashkëpunimi të gjatë me autoritetet e rajonit të Goricias. Sa i përket donacionit, ai sqaroi se një shumë prej 8000 eurosh do të ndahet për qumështoren “Aldi” në Mitrovicë, 2600 euro për laboratorin e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë si dhe 5 610 euro do të ndahen në formë të subvencioneve për blegtorët që të pajisen me makina mjelëse. “Është një donacion që sado pak do të ndihmoj në përmirësimin e kushteve në fushën e blegtorisë”, theksoi Imeri.
Për të biseduar për detajet e këtyre projekteve të hënën ka qëndruar në Mitrovicë, Federico Portelli, drejtor i Bujqësisë në rajonin e Goricias dhe Davide Berutti, koordinator i projekteve, të cilët janë takuar me kryetarin e komunës, Avni Kastrati. Ata folën për rëndësinë e zhvillimit të blegtorisë dhe u zotuan për vazhdimin e mbështetjes në këtë fushë.
Ndërsa kryetari Kastrati, ka falënderuar zyrtarët e Goricias dhe ata të AFPK-së për ndihmën që po ofrojnë për blegtorët e rajonit të Mitrovicës. “Ne vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj meqë blegtorët tanë kanë nevojë për ndihmë, por edhe për trajnime sa i përket ngritjes së cilësisë së prodhimeve”.
Me rendësi të veçantë mbështetjen për laboratorin e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, e ka vlerësuar edhe prodekani i këtij fakulteti, Alush Musaj. Tha se me këto mjete do të sigurohen pajisje të nevojshme për laboratorin, me çka do të avancohet puna që bëhet aty.